Mbrojtësi shënoi golin e barazimit në minutën e 95, ndërsa priti penalltinë në minutën e 99. Mund të ndodhë një herë në 10, ndoshta 20 apo 30 vjet. Por ajo që bëri Will Evans , 27 vjeç, mbrojtësi i Chesterfield, që militon në kategorinë e pestë angleze, meriton të tregohet në detaje.
Kjo është një ngjarje unike në historinë e futbollit, pothuajse e papërsëritshme. Chesterfield renditet në vendin e 22-të nga 24 ekipe në këtë kategori dhe luan në shtëpi kundër Ebbsfleet, skuadër e cila renditet disa pozicione më sipër.
Në minutën e 63 rezultati ishte i thellë në favorinë e miqve, 0-3, por këtu nis përmbysja e madhe.
Tom Denton shënon për 1-3, pastaj Marc-Antoine Fortunè e ngushton diferencën në 2-3. Më pas, duket se nuk ka më kohë për mrekulli, por më e bukura kishte mbetur për në fund.
Ishte minuta e 95 kur Evans shënon një gol të pabesueshëm me kokë, duke barazuar rezultatin në 3-3 dhe këtu duket se u mbyll, por sërish nuk është kështu. Ebbsfleet hidhet në sulm, por portieri Callum Burton ndal sulmin e tyre, ndërsa më pas e katranos. Me topin në duar, ai godet një kundërshtar dhe vendimi është i prerë. Penallti për miqtë dhe karton i kuq për portierin.
Mbrojtësi Evans detyrohet të veshë dorezat e portierit dhe të futet në portë. Minuta e 99, Michael Creek godet dhe Will Evans bën heroin duke ndalur topin e gjithçka më pas përfundon në një barazim dramatik 3-3!
Për Chesterfield një pikë që ndoshta edhe nuk mund t’i vlejë në vazhdim, por për mënyrën se si erdhi ajo bëri xhiron e botës dhe do të mbahet mend gjatë. (A2 Televizion)