
Takimin e parë në Tiranë, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e bëri me përfaqësues të arsimit.
Një ftesë e mbërritur nga Universiteti i Tiranës jo pa qëllim. Rektori Artan Hoxha, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Senatin Akademik, i dha ish-zyrtarit të lartë amerikan titullin “Honoris Causa”.
Mike Pompeo vlerësoi titullin e ofruar nga Shqipëria, duke dhënë një mesazh të rëndësishëm për studentët: “Punoni fort. E di që ka dhe njerëz dembelë, por nuk kam parë shumë të tillë. Kur jeni studentë, duhet të studioni shumë, të përfitoni sa më shumë njohuri, në këtë mënyrë do ta shihni që do t’ia dilni mbanë. Ne nuk jemi shumë larg nga ajo që është një konflik aktiv, një luftë. Të gjithë njerëzit në mbarë botën janë prekur nga kjo situatë. Kur njerëzit janë të bashkuar dhe kur janë të arsimuar, ne mund të ulim rrezikun që diçka e tillë të ndodhë”.
Nëpërmjet vizave dhe projekteve, Ambasada Amerikane në Tiranë ndihmon studentët shqiptarë për t’u arsimuar përtej kontinentit, një mundësi dhe një eksperiencë mjaft e lakmuar nga çdo i ri. (A2 Televizion)