
Banorët në Luiziana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të qëndrojnë në errësirë për disa javë. Autoritetet po shqyrtojnë dëmet e mëdha që shkaktoi uragani Ida, që preku tokën të dielën me erëra deri në 240 kilometra në orë.
Është uragani i pestë më i fuqishëm që goditi ndonjëherë Shtetet e Bashkuara. Rreth 1 milion banorë mbetën pa energji elektrike, pemë u rrëzua dhe shumë rrugë e ndërtesa u dëmtuan.
“Ishte diçka shumë e keqe, gjëja më e tmerrshme e përjetuar. Nxora fëmijën tim jashtë dhe fatmirësisht tani është mirë dhe e sigurt”, u shpreh Malik Mitchell, i dëmtuar nga uragani.
“Dëmet janë katastrofike, më të këqijat që kemi parë në 20 vite që kam qenë në shërbim dhe kam parë disa uraganë. Gustavin, Isakun, nga të cilët kemi pasur shumë ujë, përmbytje dhe dëme në pronë, por kjo është më shumë nga sa prisnim”, shton Randall Gaines, i dwmtuar nga uragani.
Mijëra anëtarë të gardës kombëtare janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Gjithashtu, 25 mijë punonjës po merren me rregullimin e linjave të energjisë elektrike për të rikthyer dhe shërbimin.
Të paktën dy persona kanë humbur jetën nga uragani Ida. Pavarësisht se ka zbritur në kategorinë e një stuhie tropikale, sërish mbetet e rrezikshme. (A2 Televizion)