
KLP dhe KLGJ mbyllën fazën e parë të plotë të funksionimit të tyre. Pesë vite nga ngritja e këtyre dy strukturave, ka filluar procesi i plotësimit të vakancave, proces në të cilin Avokati i Popullit është ngarkuar me ligj për të vlerësuar kandidaturat që vijnë jashtë radhëve të magjistratëve. Erinda Ballanca në një intervistë në A2 CNN u shpreh kritike për mënyrën se si veproi politika pesë vite më parë ku këta anëtarë u zgjidhën me short, për shkak se nuk pati dakordësi.
“Rezultati më negativ për mua është që përzgjedhja e këtyre funksioneve t'i lihet goglave pasi gjithë kjo procedurë e renditjes së kritereve shkon dëm pasi edhe ai që është renditur i fundit del dhe arrin të bëhet anëtar i Këshillit, pasi nuk ka meritokraci.”
Ndryshimet kushtetuese që sollën reformën në drejtësi janë tashmë në fuqi prej shtatë vitesh, por sipas Erinda Ballancës është ende herët për të bërë balance mbi suksesin apo jo të saj.
“Unë mendoj se ende kemi shumë kohë për të kuptuar realisht se si ka ndryshuar drejtësia pasi do të duhet jo vetëm së pari të plotësohen radhët e këtyre vakancave, dhe do të duhen së paku tri vite të tjera, por përtej kësaj edhe të shikojmë performancën reale. Të kemi gjykim të qytetarëve nga shkalla e parë në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.”
Avokatja e Popullit ka më shumë se një vit që është në detyrë përtej mandatit kushtetues pasi Kuvendi nuk ka gjetur ende dakordësinë për të bërë bashkë 84 vota. Ky ngërç sipas Ballancës duhet rregulluar me ligj pasi nuk garanton parimin e meritokracisë.
“Unë mendoj se për zgjedhjet e Avokatit të Popullit duhet të heqim vullnetin politik, por meritokraci. Përtej vullnetit politik e rëndësishme është që të zgjedhim personin që më së miri ta kryer detyrën.”
Erinda Ballanca tentoi një vit më parë të zgjidhej për një mandat të dytë si Avokat i Popullit, por asnjë nga kandidaturat e paraqitura atëherë nuk u miratuan, arsye për të cilën duket se ka hequr dorë nga ky synim. Aktualisht në garë për këtë post janë 14 kandidatë. (A2 Televizion)