Më mirë një lokal bosh sesa një shkollë bosh. Me këtë parim, menaxheri i një bari në qytetin e Pogradecit, pranë njërit prej gjimnazeve të qytetit ka ndaluar frekuentimin e lokalit nga nxënësit e shkollës gjatë orarit mësimor.
Për këtë ka vendosur edhe tabelën përkatëse, gjë që ka çuditur jo pak opinionin publik. Vetë menaxheri argumenton vendimin e marrë.
“Ne e morëm si iniciativë edhe duke parë se nxënësit kishin një tendencë të lënieve të orës së mësimit dhe mosfrekuentimit të shkollës. Pamë që ata kishin kaluar nga librat tek veshjet ekstravagante, tek fjalori banal. Të japim një mesazh për të gjithë njerëzit dhe sidomos për bizneset që të mos përfitojnë nga mosha e tyre. Ne e kemi vendosur këtë vit me fillimin e vitit të ri shkollor, të paktën për pjesën e gjimnazeve pasi jemi dhe pranë tyre. Sigurisht që kjo ka një peshë në bilancet e lokalit, por ne si Sherlock Irish Pub jemi të mendimit se më mirë një lokal bosh sesa një shkollë bosh”, tha për A2 CNN, menaxheri i lokalit Armand Hoxha.
Ky vendim është vlerësuar edhe nga specialistët e fushës së shëndetit mendor dhe psikologët, të cilët kanë vlerësuar interesin më të lartë të adoleshentëve.
“Nisma është shumë pozitive për sa i përket ndikimit në komunitet. E para njëherë interesi më i lartë i fëmijëve. Të gjithë fëmijët gjatë fashës mësimore nuk duhet të devijojnë përveç ambienteve të shkollës”, tha për A2 CNN, Arbi Basho punonjës social në Pogradec.
Ky është nga rastet e vetme, kur një biznes del përkundër interesit të tij ekonomik për të dhënë një shembull që ndikon në edukimin dhe mirë orientimin e brezit të ri. (A2 Televizion)