
Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për Valter Bamin, i cili akuzohet për “armëmbajtje pa leje”, pasi iu gjetën gjurmë baruti në duar.
Përmes avokatit të tij, Bami e ka mohuar akuzën, duke pretenduar se ka një armë sportive me leje dhe se gjurmët i ka prej saj.
Bami u arrestua pak ditë pas vrasjes së Ramazan Sinës dhe plagosjes së dy fëmijëve të Gentian Bejtjas në Larushk, Krujë. Ai ishte ndër të parët persona që u mor në pyetje pas ngjarjes. Vetë Bami ka mohuar akuzën dhe thotë se gjurmët e barutit në duar i ka nga qitjet me një armë sportive me leje. Gjithashtu, avokati tha se mbrëmjen e ngjarjes, klienti i tij ndodhej në banesë.
Ndonëse u la i lirë, dy ditë më vonë, ai u prangos për “armëmbajtje pa leje”, pasi policia gjeti mbetje baruti në duart e tij. Policia informon se gjatë aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të Valter Bamit janë konstatuar gjurmë baruti, çka ka shtyrë ekspertët të dyshojnë se ka qëlluar me armë zjarri. (A2 Televizion)