
Kuvendi pritet të votojë sot kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese. Pas publikimit të emrit të Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca duket e vendosur të hedhë në votim Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, nismë që konsiderohet e paligjshme nga Presidenti Meta.
Para votimi, Këshilli i Legjislacionit dhe i Mandateve do të diskutojë për emrat që do të futen për votim por sipas të gjitha gjasave ato do të jenë vetëm dy, duke qenë se Arta Vorpsi konsiderohet e miratuar si kandidaturë e Presidentit të Republikës. Në këtë mbledhje do të përcaktohet edhe zyrtarisht se sa emra do të futen në seancë. Të dy kandidaturat duhet të sigurojnë secila 84 vota për t’u miratuar, në të kundërt procesi do të nisë nga e para.
Burime nga të dy institucionet, Presidenca dhe Kuvendi, thonë se kanë qenë ndërkombëtarët që kanë ndërhyrë që Gjykata Kushtetuese të ngrihet pa vonesa.
Në nisje të seancës, krerët e grupeve parlamentare të opozitës kërkuan sqarime nga Kryetari i Kuvendit në lidhje me kushtetutshmërinë e procedurës që do të ndiqet për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Deri dje jemi njoftuar që sipas rregullores së re të Kuvendit nuk ka debat kur votimi është i fshehtë”, tha Ralf Gjoni. “Sot njoftohemi që ka debat”.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre lidhej me faktin se mes tre kandidatëve dy tashmë konsiderohen të zgjedhur dhe deputetët gjenden në kushtet kur u imponohet nga një kandidaturë e vetme për secilën nga dy vakancat. “Listat janë pak problematike sepse nuk kemi nga të përzgjedhim, mbetemi vetëm me dy kandidatë që janë të imponuar, pra duhet të gjejmë një zgjidhje”, tha Rudina Hajdari.
Por kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se emrat janë vendosur tashmë, dhe Kuvendi ka ekskluzivitetin vetëm të votojë.
Por pas votimit të sotëm mbetet i pa caktuar fati i zonjës Arta Vorpsi, pasi Presidenca nuk e konsideron të zgjedhur prej saj, ndërsa për Kuvendin konsiderohet si zgjedhje tashmë e konfirmuar.
(A2 Televizion)