
Pfizer tha të premten se në testet që ka kryer te fëmijët e moshës 2-5 vjeç ka rezultuar se vaksina nuk ka siguruar imunitetin që pritej. Kompania gjithashtu shtoi se do të shtonte edhe një dozë të tretë në testime, për të gjithë fëmijët, e moshës 6 muajshe deri në 5 vjeç, sipas rekomandimit të vëzhguesve të pavarur që nuk janë pjesë e Pfizer.
Të dhënat treguan se me dy doza të vaksinës nuk prodhohej niveli i pritur i imunitetit për grupmoshën 2-5 vjeç, por vetëm për bebet deri në 2 vjeç. “Studimi tani do të kryhet duke u dhënë një dozë të tretë 2 muaj pas dozës së dytë”, tha Pfizer.
Doza e vaksinës për personat mbi 12 vjeç është 30 mikrogramë, ndërsa për fëmijët 5-11 vjeç doza ishte 10 mikrogramë, dhe 3 mikrogramë për më të vegjlit. Kompania siguroi se nuk ishte vërejtur asnjë shqetësim apo efekt anësor te fëmijët. “Zgjedhja e kësaj doze tregon se jemi të përkushtuar për të maksimizuar përfitimet dhe minimizuar rreziqet”, tha Pfizer. “Nëse testimi me tre doza është i suksesshëm, do të dërgojmë të dhënat te rregullatorët për të marrë miratimin për përdorim emergjent”.
Këto ndryshime do të vonojnë miratimin e autorizimit për përdorimin e vaksinës te më të rinjtë, tha Dr. Anthony Fauci për CNN. “Mendoj që do të merret në tremujorin e dytë të vitit 2022, por shpresojmë që të jetë edhe më herët”, tha Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar Amerikan të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive. “Por është e rëndësishme të vendoset doza e duhur për fëmijët. Pavarësisht se nuk na pëlqejnë vonesat, gjërat duhen bërë drejt”. (A2 Televizion)