
Eugena Tomini, zv/ministre e Shëndetësisë, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 CNN, deklaroi se “situata epidemiologjike po paraqet luhatje prej disa javësh”.
“Tani ka edhe qarkullim virozash të tjera, por sërish Covid-19 ka incidencë në rritje”, nënvizoi Tomini.
Sipas saj, “95% e rasteve të shtruar në spital, janë persona të pavaksinuar”.
Tomini bëri thirrje që të mos neglizhohet asnjë shenjë, “duke u monitoruar nga mjeku i familjes”. Gjithashtu apeloi që të prekurit nga koronavirusi të mos hezitojnë kur mjeku rekomandon shtrimin në spital.
Në lidhje me “Green Pass” për të hyrë në lokale që paralajmëroi ministrja Manastirliu, Tomini sqaroi: “Në kuadër të debateve në Parlament, ministrja u shpreh në këndvështrimin e një retorike. Duke parë situatën epidemiologjike, duke vlerësuar ecurinë e masave në ambientet e mbyllura, nuk është opsion i padiskutuar, por ministrja bëri paralelizëm me vendet e tjera evropiane”.
Ilaçi kundër Covid-19, i aprovuar sot në Britaninë e Madhe, sipas Tominit, “do të lehtësojë pandeminë dhe prezencën e virusit pasi të përfundojë kjo pandemi”.
“Çdo arritje e shkencës është e mirëpritur”, theksoi zv/ministrja e Shëndetësisë. (A2 Televizion)