
Ishte viti 1571, kur në këtë qytet ku rrugëtojmë sot, hyri një spanjoll me emrin Miguel Cervantes. I kapur peng pas një beteje me spanjollët në Mesdhe, Cervantes dërgohet në burg. I duhet të vuajë dënimin në Ulqin. Këtu ai qëndron në burg për 5 vjet, periudhë gjatë së cilës ai shkruan romanin "Don Kishoti". Në atë kohë, qyteti quhej ende Cita di Dolcinio, dhe Cervantes i jep emrin Dulcinea të dashurës së Don Kishotit.
Ulqini ka qenë frymëzues për shumë poetë, piktorë e artistë që kalonin atypari. Ngritur mbi shkrepa, ky qytet i përngjan anijes që është duke u hyrë në det dhe nuk është e pazakontë që për një kohë të gjatë ka qenë i preferuari I piratëve. Por, sot, qyteti i vjetër që numëron më shumë se dy mijë vjet sfidon valët e detit. Askush nuk mundi ta pushtojë nga deti.
Qytetin e vjetër e kanë sulmuar shumë pushtues, të cilët lanë gjurmët e tyre. Të tillë janë edhe pushtuesit që ju prezantojmë sot, është një pushtim artistik, një koloni piktorësh që është zhvendosur rrugëve të qytetit të vjetër apo shkrepave për të soditur kalanë krenare.
Peizazhi është i pari që tërheq piktorët e Shqipërisë. Ata janë shpërndarë në kënde të ndryshme të qytetit për të sjellë në telajo magjinë e një vjeshte në këtë qytet. Edhe djemtë dhe vajzat e Kosovës janë përfshirë nga fuqia e peizazhit, ndonëse kanë nisur të realizojnë edhe motive të tjera në tablo.
Ka shumë legjenda e motive që frymëzojnë këto ditë 50 piktorët e mbledhur nga Instituti i Librit dhe Promocionit në Ulqin. Një prej rrëfenjave nga këto anë thotë se në Mesjetë asnjë beqar nuk mund të martohej, nëse nuk mbillte së paku dhjetë fidanë ulliri. Në Ulqin nuk është e vështirë të sodisësh këto fidanë apo ullishtet që tregojnë trungje qindravjeçarë. Lord Bajroni, Xhorxh Bernard Shou, apo nobelisti Ivo Andriç janë frymëzuar të thurin vargje për bukurinë e këtyre viseve.
Ato lundrojnë sot mes ngjyrash edhe në tablo. 50 piktorë janë pushtuesit e artit këtë fundjavë në Ulqin dhe nuk është e vështirë të gjesh mes tyre shkolla të ndryshme të artit. Merita Malokun e gjejmë duke përdorur pak rërë për t’i dhënë tablosë së saj natyre eksperimentale që nuk e gjejmë te një shkollë tjetër artistike që i përmbahet tradicionales së peizazhit. Tabloja e saj duket konceptuale ende pa e përfunduar. Njëlloj edhe bashkudhëtaret e saj në këtë koloni.
Piktura në koloni të tilla është edhe gjuha e përbashkët. “Qyteti I Ulqinit është shumë frymëzues për mua, frymëzues sepse ka një bukuri të peizazhit që të dërgon drejt telajove plot ngjyra. Sidomos tani në vjeshtë. Edhe të punuarit në grup si një dialog me artistë të tjerë është një motiv më shumë për t’iu dedikuar tablosë”, thotë Mirko Dragoviç, piktor nga Maqedonia e Veriut. “E ndiej vete shumë mirë në këtë koloni. Më pëlqejnë këto nxitje artistike”, thotë Mehmed Muratoviç, nga Bosnje-Hercegovina
Kalorësi gjerman Arnold von Harfi, që kaloi nëpër Ulqin në vitin 1496, mblodhi një fjalor shqip-gjermanisht, që ka rëndësi të madhe për historinë e shqipes. Piktorët që priti edhe këtë vit të pestë Uliqni, lënë po ashtu gjurmët e tyre, gjurmë të cilat mikpritësi Gëzim Hajdinaga i vlerëson shumë. (A2 Televizion)