
Prokuroria e Mitrovicës ka nisur hetimet rreth nisjes së vaksinimit të popullsisë kundër koronvirusit dhe mënyrës se si vaksinat kanë hyrë në vend.
Kryeprokurori, Shyqri Syla, deklaroi se po mblidhen informacione nëse produktet farmaceutike kanë hyrë nga Serbia në Kosovë, përmes rrugëve ligjore ose jo.
“Po hetohet fillimisht hyrja e tyre, sepse nuk mund të themi asgjë pa e ditur se si kanë hyrë, si dhe kush janë personat që i kanë sjellë ato. Nëse ne kemi prova se vërtet ato janë kontrabanduar sepse duhet të ketë një autorizim për përdorimin e këtyre vaksinave dhe nëse ato janë të kundërligjshme, do të nisin procedurat penale kundër atyre personave që i kanë bërë këto punë", tha prokurori Syla.
Më 25 dhjetor, presidenti serb Vuçiç u shpreh se në veri të Kosovës nisi vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech. (A2 Televizion)