
Partitë politike në Kosovë vijojnë përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një mbledhje kryesie për të diskutuar hapat e radhës. Kryetari Isa Mustafa bëri të ditur se ende nuk është arritur një dakordësi për emrin e kandidatit kryesor dhe shtoi se kjo çështje do të zgjidhet për pak ditë. Ndërsa u shpreh në mënyrë të prerë lidhur me koalicionet parazgjedhore.
“Jo fare, nuk kemi asnjë koalicion. Vërtetë me asnjë subjekt politik nuk jemi duke diskutuar për koalicione. Është vizitë private, me personelin këtu. Prandaj nuk është vizitë zyrtare për çështje politike”, u shpreh Isa Mustafa.
Partia Demokratike e Kosovës pati një akuzë ndaj qeverisë, duke thënë se po i nënshtrohet Serbisë.
“Pse ky reagim i ngathët përballë shkeljes së sovranitetit? Është e rëndë dhe e pafalshme të shohim se si dy kryeministrat Hoti dhe Kurti, u strukën para Vuçiqit dhe hoqën dorë nga sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës, për të cilin u sakrifikua shumë, nga shumë breza. Është irrituese për qytetarët tanë të shohin se si një qeveri armike e Kosovës hyn në Kosovë, vaksinon kundër Covid-19, e qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës jo vetëm që nuk kanë filluar të vaksinohen, por nuk kanë madje as më të voglën informatë se kur do të nisë vaksinimi nga shteti i Kosovës. Duke ditur se vaksina është mënyra e vetme që i jep fund pandemisë, prioriteti më i lartë i kësaj qeverie do të duhej të ishte sigurimi i vaksinës”, deklaroi sekretari i PDK, Uran Ismaili.
Kësaj akuze iu kundërpërgjigj kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili tha se vaksinat kanë hyrë ilegalisht në Kosovë dhe nënvizoi se me këtë çështje po merren autoritetet përkatëse. (A2 Televizion)