
Në studion e “Absolut 4” u debatua mbi procesin e vaksinimit në Shqipëri dhe në veçanti për vaksinën e AstraZeneca, duke qenë se në ditët në vijim në Shqipëri mbërrijnë dozat e para të kësaj vaksine në bazë të programit të Covax.
Disa vende europiane, në bazë të provave, kanë vendosur që kjo vaksinë të mos përdoret për moshat mbi 65 vjeç. Në lidhje me këtë, shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se si do të veprohet.
“Nëse do të vijnë Pfizer dhe AstraZeneca, Pfizer do të përdoret për të moshuarit. Duke u bazuar se si do të paraqitet skenari kur t’i kemi në dispozicion këto vaksina, do të veprohet. Ende nuk e kemi diskutuar vendimin nëse do të përdoret apo jo vaksina e AstraZeneca”, tha Brataj.
Gazmend Koduzi, kreu i departamentit të Shëndetësisë pranë Partisë Demokratike, ndërhyri duke thënë se nuk ka pasur kurrë plan, pasi, sipas tij, është ecur me parimin “duke parë, e duke bërë”.
“Plan nuk ka dhe nuk ka patur që në fillim. Gjërat janë bërë duke parë e duke bërë. Edhe për vaksinimin nuk ka plan dhe grafik për vaksinimin e grupeve përkatëse. Asnjë person nuk është kontaktuar që t’i thonë se pas 2-3 muajsh të vjen radha”, u shpreh Koduzi. (A2 Televizion)