
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë të paktën 20 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit në vende të tjera, deri në fund të muajit qershor. Kjo do të jetë hera e parë që Amerika ndan vaksina të autorizuara dhe të destinuara për përdorim të brendshëm.
"Ashtu si në Luftën e Dytë Botërore Amerika ishte arsenali i demokracisë, në betejën kundër pandemisë COVID-19 vendi ynë do të jetë arsenali i vaksinave", deklaroi presidenti amerikan Joe Biden.
Ai sqaroi se do të dërgojë jashtë vendit, doza të vaksinave Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson, përveç 60 milionë dozave të vaksinës AstraZeneca që kishte planifikuar më herët t'u jepte vendeve të tjera. AstraZeneca nuk është ende e autorizuar për përdorim në Shtetet e Bashkuara.
Bëhet fjalë për të gjitha dozat e Astrazenecas të prodhuara në Shtetet e Bashkuara. Sot njoftoj gjithashtu se ne do të ndajmë me pjesën tjetër të botës vaksina të Pfizer, Moderna dhe Johnson. Ne do të shpërndajmë 20 milionë të tilla deri në fund të qershorit dhe në total 80 milionë doza.
Gati 60% e të rriturve në SHBA kanë marrë të paktën një dozë vaksine, ndërsa vende si Brazili dhe India, kanë nevojë të dëshpëruar për vaksina për të kontrolluar shpërthimet e varianteve të koronavirusit. Presidenti Biden ka qenë nën presion global për të ndarë vaksinat amerikane me vendet e tjera, por këmbëngulte se fillimisht duhet ta vinte pandeminë nën kontroll brenda Shteteve të Bashkuara. (A2 Televizion)