Vaksinimi kundër koronavirusit, shqetësim në SHBA, të pasurit duan të përvetësojnë dozat

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2020, 14:49 | Bota
Vaksinimi kundër koronavirusit, shqetësim në SHBA, të

Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë tashmë dy vaksina kundër koronavirusit, ato të prodhuar nga Pfizer dhe Moderna, mediat amerikane flasin për shqetësime në rritje lidhur me shpërndarjen e drejtë të dozave, më shumë biznese dhe industri të mëdha që kërkojnë imunizimin e stafit të tyre.

Sipas autoriteteve në SHBA, punonjësit e shëndetësisë dhe pjesëtarët e qendrave të kujdesit afatgjatë janë mes të parëve që po marrin vaksinën, por mediat amerikane pretendojnë se të pasurit po ofrojnë donacione dhjetëra mijëra dollarëshe për spitalet, në këmbim të privilegjeve për të siguruar vaksinën para të tjerëve.

Raportimet kanë nxitur shqetësimet se dozat fillestare të kufizuara të vaksinës mund të çojnë në lulëzimin e një tregu të zi, nëse disa njerëz me lidhjet e duhura do t’ia shesin ato ofruesit më bujar.

Wall Street Journal shkruan se gjiganti i tregtisë online, Amazon ka kërkuar listimin e punonjësve të tij mes grupeve prioritare për vaksinim. Kërkesa të ngjashme janë bërë edhe nga industri ushqimore, të restoranteve apo ajrore, me shumë që këmbëngulin se stafi i tyre ka rol kyç në lëvizjen e motorit të ekonomisë dhe janë mjaft të ekspozuar ndaj virusit.

Ndërkaq, një spital në Illinois, rinisi sërish vaksinimet të dielën, pas pezullimit për shkak të efekteve anësore të shfaqura te 4 persona. Reaksione alergjike u regjistruan edhe në Alaskë dhe Tenesi.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos