Barcelona është e interesuar për të marrë trajnerin e River Plate, Marcelo Gallardo, për ta zëvendësuar Ernesto Valverde, nëse vendos përfundimisht për ta shkarkuar.
Katalanasit kanë fituar titullin kampion në dy vitet e fundit nën drejtimin e trajnerit spanjoll, por ky sezon i ri ka nisur keq dhe as tifozët nuk janë më të kënaqur me paraqitjet e skuadrës. Shkarkimi i Valverdes është ende një hipotezë për momentin, por mediat në Argjentinë kanë raportuar se emri i trajnerit që do ta zëvendësojë, nëse vendoset për shkarkim, është ai i trajnerit të River Plate.

Gallardo, ish-lojtar i kombëtares së Argjentinës, ka fituar disa trofe që kur drejton klubin e Buenos Aires, mes tyre edhe Kupën Libertadores. Por nëse vjen oferta nga Barcelona vështirë që mund ta refuzojë.
Nuk është hera e parë që Barcelona do të merrte një trajner nga futbolli argjentinas, edhe pse më parë kjo lëvizje nuk ka rezultuar e suksesshme. Katalanasit punësuan Gerardo “Tata” Martino-n në vitin 2013, por aventura e tij në “Camp Nou” zgjati vetëm një vit, pasi humbi titullin kampion në javën e fundit të sezonit. (A2 Televizion)