Vdekja e Lear Kurtit, Prokuroria: Në qesen e gjetur në stomak kishte kokainë

Nga A2 CNN
24 Tetor 2022, 10:35 | Kronikë
Vdekja e Lear Kurtit, Prokuroria: Në qesen e gjetur në stomak kishte

Në mbetjet e qeses së gjetur në stomakun e Lear Kurtit, 32-vjeçarit që ndërroi jetë pasi u shoqërua nga policia, ka prani të kokainës.

Përfundimi është nxjerrë pas akt-ekspertimit kimik të bërë nga një grup prej 5 ekspertësh, akt që është tashmë në duart e prokurorëve, ndërsa ende nuk ka një akt-ekspertim mbi shkakun e vdekjes së tij.

Prokuroria e Tiranës bëri me dije zyrtarisht të hënë se ka regjistruar një hetim penal për vdekjen e të riut, duke ngritur dyshime për konsumimin e dy veprave penale “kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “mosdhënie ndihme”.

Deri më tani, hetimi është pa emra konkretë, por referuar veprave të dyshuarit për to janë efektivët e policisë. Sipas prokurorisë së Tiranës deri në këtë fazë të hetimit janë administruar kartela mjekësore e Lear Kurtit, procesverbali i këqyrjes së kufomës, si edhe pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë nga momenti i konstatimit nga Policia i 32-vjeçarit, ndjekja e tij, ndalimi e deri tek dërgimi për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës.

Për llogari të hetimit i janë marrë deklarime personave që kanë qenë prezentë me viktimën dhe të gjithë efektivët e policisë që kanë kryer veprime me 32-vjeçarin. Prokuroria e kryeqytetit njoftoi se në shërbim të zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe rrethanave të vdekjes së Kurtit, në vijim do të administrohen pamjet filmike të urgjencës në Spitalin e Traumës, pyetjen e personelit mjekësor që e kanë pritur dhe marrë në trajtim të riun.

Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës, pak minuta pasi u shoqërua nga një patrullë policie e komisariatit nr. 3. Në një njoftim të dytë, pasi pretendoi se kishte vdekur në spital, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se 32-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua në spital ku u konstatua se kishte ndërruar jetë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/10/21/vdekja-e-32-vjecarit-rama-mbron-policine-berisha-akuzon-per-manipulim-provash/
https://a2news.com/2022/10/23/proteste-per-vdekjen-e-32-vjecarit-qytetaret-zhvendosen-te-kryeministria/

A2 CNN Livestream

Latest Videos