
Një futbollist argjentinas ka vdekur pasi ka rënë nga kati i gjashtë i një godine, ku po festonte me miqtë. Ezequiel Esperon, 23 vjeç, u deklarua zyrtarisht i vdekur me të mbërritur në spitalin “Zubizarreta” në Buenos Aires pak minuta më vonë.
Ai besohet se ka rënë pasi ishte varur në një kangjellë që nuk ishte mbyllur si duhet dhe është hapur për shkak të peshës së tij. Tragjedia ndodhi të dielën rreth orës 3 të mëngjesit në lagjen Villa Devoto në kryeqytetin argjentinas. Esperon luante me klubin meksikan Atlante ndërsa karrierën e kishte nisur me All Boys në Buenos Aires, por kishte provuar të hidhte edhe hapin e madh te Gremio, pa sukses.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, edhe pse paraprakisht ka deklaruar se nuk ka asnjë të dhënë që të lërë të mendohet për ndonjë vepër kriminale, por Esperon humbi jetën për shkak të një aksidenti tragjik. (A2 Televizion)