
Është ndarë nga jeta, në mënyrë të papritur, në moshën 66-vjeçare, nënkryetari i parlamentit gjerman, Thomas Opperman. Ai ra pa ndjenja pak para se të intervistohej nga ZDF, dhe më pas u dërgua në spital. Transmetuesi publik konfirmoi vdekjen e tij, të hënën.
Kancelarja Angela Merkel, deklaroi se ishte tronditur dhe trishtuar nga vdekja e parakohshme e Thomas Oppermann.
"Unë e kam vlerësuar atë për shumë vite si një partner i besueshëm dhe i drejtë në koalicionin e madh," tha ajo në një deklaratë. "Si nënkryetar i Bundestag gjerman, ai i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm parlamentit tonë në kohë të trazuara”.
Oppermann, politikani kryesor Social Demokrat (SPD) dhe nënkryetari i Bundestagu, filloi karrierën e tij politike më 1980. Ai së pari u bë një ligjvënës në nivelin shtetëror në Saksoninë e Ulët më 1990 dhe vazhdoi të shërbejë si ministër i Shkencës. Ai kaloi në skenën kombëtare më 2005, ku përfaqësoi zonën elektorale të Göttingen. Mbajti postin e nënkryetarit të Bundestag, që nga viti 2017.
Nga 2013 në 2017 ai shërbeu si drejtues i partisë parlamentare për SPD të qendrës së majtë në Bundestag. (A2 Televizion)