
Në 28 nëntor, Erjon Veliaj revokoi historinë kur iu referua protestave në Unazën e Madhe. Kundërshtarët e ndërtimit të segmentit rrugor që protestojnë prej 1 muaji kundër shembjes së banesave, i krahasoi me lëvizjen pro-turke kundër Pavarësisë së 1912-ës, “Dum baba”.
“Minoranca nuk do të ketë terren”, theksoi kryebashkiaku. “Tirana do ta ketë një Unazë të Madhe për të fituar pavarësi nga trafiku, nga bllokimi, nga zaptimi. Ne do të akomodojmë këdo që ka nevojë që ka nevojë për solidaritetin e qytetit tonë. E sigurt që ky qytet me këtë bujari dhe me këtë histori të lavdishme nuk do të lërë asnjë njeri pa shtëpi dhe pa bukë. Por nuk do të lëmë edhe qytetin pa u zhvilluar, ia kemi borxh atyre që themeluan këtë shtet dhe këtë qytet, ia kemi borxh një gjenerate të re që nuk do të na falë kurrë nëse ata që sot thonë “dum babën” pengojnë zhvillimin e qytetit”, u shpreh kryebashkiaku.
Ndërkohë në Unazë, krahas protestave, vijonin shembjet. Për të prekurit, kryebashkiaku premtoi strehim, duke revokuar këtë herë luftën e dytë botërore dhe ndihmës ndaj hebrenjve.
“Banesat sociale mund të përdoren pa limit, nëse nuk duan banesat sociale ka pagesë 3 vjeçare për ata që duan ta gjejnë vetë shtëpinë. Për të tjerët shpronësim dhe për të të gjithë të tjerët plotësim i çdo nevoje. Brenda arsyes së këtij kombi, unë besoj se Tirana ditët më të mira i ka përpara”, tha Veliaj.
Prej javësh, banorët e Unazës së Re kërkojnë të takojnë me ngulm deputetët e zonës, por ata ishin në krah të kryebashkiakut. (A2 Televizion)