
284 persona janë arrestuar gjatë vitit 2020 në Shqipëri, për vepra të lidhura me kultivimin e kanabisit, tha drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë konferencës së përbashkët me Policinë italiane, lidhur me rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit. Veliu shtoi se përgjatë këtij viti janë përjashtuar 3 punonjës nga Policia dhe janë ndjekur penalisht 17 të tjerë, të cilët janë përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të bimëve narkotike.
“Gjatë periudhës referuese në bazë të statistikave të kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 37%, nga 1447 kg e 982 gr. vitin e kaluar, në 911 kg e 500 gr. këtë vit. Mungesa e lëndës narkotike në treg është reflektuar edhe në çmimin e saj, i cili është rritur nga 800-900 euro për kg në 2019 në 1400-1500 euro për kg në 2020. Nuk duhet të harrojmë se viti 2020 kishte specifikat e veta. Kaluam dhe jemi në një pandemi globale dhe sigurisht detyrat e Policisë ndryshuan për sa i përket angazhimit dhe prioriteteve si dhe u kufizuan objektivisht nga risku që ishte i pranishëm për çdo qenie njerëzore”, tha Veliu.
Sipas shifrave të përmendura nga drejtori i Policisë së Shtetit, gjatë këtij viti, janë asgjësuar mbi 137 mijë bimë narkotike, krahasuar me 90 mijë të një viti më parë. “Gjatë këtij viti në ndryshim nga vitet e mëparshme tendenca ka qenë kultivimi në zonat e thella malore, në pyje dhe në sipërfaqe të vogla”, tha Veliu. (A2 Televizion)