
Selia e Shenjtë këmbëngul që të organizojë bisedimet e paqes. Vatikani sjell sërish në vëmendje ofertën për të ndërmjetësuar negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Jemi të gatshëm, besoj se Vatikani është vendi i përshtatshëm. Kemi kërkuar të ofrojmë mundësi takimi me të gjithë dhe që të mbajmë një ekuilibër. Ofrojmë një hapësirë në të cilën, të gjitha palët mund të takohen dhe të nisin një dialog. U takon atyre të përcaktojnë metodologjinë e punës dhe përmbajtjen”, tha sekretari i shtetit i Vatikanit.
Por palët duket të jenë ende shumë larg tryezës së paqes, me bombat e vazhdueshme që i distancojnë. Ushtria ruse ka sulmuar Ukrainën qendrore me artileri të rëndë, me të paktën 30 raketa të lëshuara. Nuk janë raportuar të lënduar, ndërsa fokusi i luftës së Vladimir Putin duket i orientuar drejt kabllove të korentit.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, konfirmoi se hipoteza e një errësire totale pas bombardimeve ruse është tepër realiste. Por siguroi se situata e paqëndrueshme nuk do t’i shtyjë qytetarët që të lënë vendin e tyre.
Ndërkohë, vijon puna për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në rajonin e Odesës dhe kryesisht në portin ukrainas në Detin e Zi. Në këtë zonë mbetën në errësirë 1.5 milionë njerëz, që pritet të kalojnë një pjesë të mirë të dimrit të acartë në këtë mënyrë.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, njoftoi se aksionet e kundërofensivës do të rinisin kur toka të ngrijë pasi mundëson lëvizjen më të kollajtë të makinerive të luftës. Plani i vetëm i ushtrisë së Kievit është i thjeshtë: çlirimi i të gjitha territoreve të pushtuara përkohësisht nga Rusia dhe kthimi i kufijve siç kanë qenë që prej vitit 1991. (A2 Televizion)