
Dekretimi i datës së zgjedhjeve nuk ishte fundi i konfliktit, por vijimi i përplasjes me drejtësinë Kushtetuese. Ilir Meta kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelit të nisë hetimin disiplinor ndaj një prej shtatë gjyqtarëve kushtetues, Fiona Papajorgji. Argumenti presidencial shprehet në një material voluminoz ku si shkelje kryesore ka mos-hedhjen e shortit për caktimin e relatorit të çështjes, ku për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore, ishte Fiona Papajorgji.
Nëse këto veprime kanë qenë me dashje apo të paramenduara, apo për shkaqe të tjera , kjo do të duhet të jetë pjesë e hetimit disiplinor të gjyqtarit, qoftë të atij që ka shprehur dëshirën apo ka pranuar dosjen, qoftë dhe të mënyrës së caktimit nga Kryetari. Nëse ky është një fenomen masiv, atëherë procedimi disiplinor duhet të shtrihet sipas kërkesave të ligjit ndaj kujtdo gjyqtari të përfshirë në këto shkelje profesionale dhe etike.
Presidenti Ilir Meta
Presidenti ka cilësuar si shkelje edhe mënyrën e caktimit të pyetjeve që u dërguan në Komisionin e Venecias. Sipas tij, relatorja Fiona Papajorgji nuk dërgoi për mendim pyetjen e paditësve të cilëve më herët ua kishte njohur këtë të drejtë, duke ndikuar kështu edhe tek vendimi i dhënë.
Kjo pjesë e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese nuk pasqyrohet si e zbardhur në asnjë dokument, ç’ka krijon bindjen që Relatori i çështjes, zonja Papajorgji, që përgjigjet për ndjekjen dhe ecurinë e dosjes me veprimet e saj, ka shmangur dërgimin e pyetjeve dhe i ka paraqitur Kryetarit të Gjykatës për nënshkrim vetëm tre pyetje që janë ngritur prej saj.
Presidenti Ilir Meta
Meta kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelit që të shqyrtojë edhe çështjen e konfliktit të interesit, nëse gjyqtarja ka votuar apo jo për zgjedhjet vendore që u atakuan si antikushtetuese.
A ka marrë pjesë dhe a ka votuar zonja Fiona Papajorgji apo ndonjë anëtar tjetër i trupës gjyqësore në procesin e votimeve të 30 qershorit 2019? Nëse një gjyqtar Kushtetues, ka shkuar dhe ka votuar në votimet e 30 qershorit 2019, si mund të ishte ai një gjyqtar objektiv, i paanshëm për të shqyrtuar atikushtetutshmërinë e këtij procesi votimesh?!
Presidenti Ilir Meta
Qëndrimet e kreut të shtetit kanë mbërritur në postën e Kolegjit të Posaçëm të Apelit, ku trupa e gjyqtarëve special duhet të vendosë nëse do të marrë për bazë pretendimet e Metës ndaj gjyqtarëve kushtetues ku këto të fundit për pak ditë do të shqyrtojnë shkarkimin e tij. (A2 Televizion)