
Sali Berisha mbështeti kërkesat e pedagogëve plotësimin e të cilave e sheh si rrugën e vetme të shpëtimit të arsimit universitar. Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i PD bëri një thirrje për të gjithë qytetarët shqiptarë që të dalin në mbështetje të tyre.
“Ju garantoj se Partia Demokratike qëndron në mbështetje të çdo kërkesë që ata sot i drejtojnë një qeverie arrogante, mashtruese dhe hajdutë. Kërkesat e pedagogëve, punonjësve dhe studentëve janë klithma të vërteta për të shpëtuar arsimin universitar në Shqipëri i cili është në rrokullisje të madhe”, tha Berisha.
Kryedemokrati e cilësoi si cinike dhe përçmuese gjuhën me të cilën kryemininstri Rama i është përgjigjur kërkesave të pedagogëve, ndërsa nënvizoi se vendimi i qeverisë për rritjen e pagave kërkon të kalojë koston tek studentët.
“10% që ai deklaron ai se do rriten nga buxhetet , dje e kishte 10, sot e ka 7 që ta çojë nesër 10, është nën inflacion, është më ulët sepse inflacioni i vërtetë është 12%. Pra nuk përbën as indeksim, bën cinizëm. Dhe ajo që është më e rëndë është se premton 30% tjetër rritje rroge nga tarifat e studentëve. Domethënë u thotë studentëve, familjeve të tyre, paguani ju tani për pedagogët. Në botë kush këtë nuk e bën, përveç se ka qenë kjo një formë në Jugosllavinë e Titos që quhej “vetadministrimi jugosllav””, u shpreh kreu I PD.
Berisha u ndal edhe te Reforma Territoriale ku bëri thirrje që dy grupimet e PD së bashku me partitë e tjera aleate të bien dakord për një draft të vetëm.
“Unë mendoj se ky draft i dorëzuar dhe ky që është përgatitur këtu dhe është më i thelluar në çdo aspekt, le të ulemi bashkërisht dhe të arrihet në një draft të PD-së, i cili të përfaqësojë interesat më të mira të qytetarëve shqiptarë”.
Më herët, kryedemokrati zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit të vogël në selinë e Partisë Demokratike, ku vuri theksin tek mobilizimi i shoqërisë në greva dhe protesta të përgjithshme si të vetmen rrugë për largimin e kësaj qeverie. (A2 Televizion)