“Venecia” nuk ndryshon qëndrim: Presidenti tejkaloi kompetencat dhe Kushtetuesja s’mund të gjykojë vendoret

Nga A2 CNN
19 Tetor 2021, 13:12 | Politikë

Komisioni i Venecias nuk ndryshon qëndrim sa i takon ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Në opinionin final, të cilin e disponon A2 CNN, nënvizohet se Gjykata Kushtetuese nuk është përgjegjëse për të gjykuar ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore.

“Komisioni i Venecias është i mendimit se këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë "funksionarë të organeve të parashikuara në Kushtetutë" në kuptimin e nenit 131 (1) e) të Kushtetutës. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore”.

Komisioni i Venecias

Arsyeja e këtij konflikti ligjor në dyert e Kushtetueses ishte bojkoti i opozitës, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje. Për Venecian, kjo s’është shkak për t’i konsideruar antikushtetuese.

“Partitë politike janë shoqata private që përfaqësojnë pikëpamjet e anëtarëve të tyre, pa detyrimin për të përfaqësuar një pjesë të shoqërisë dhe pa detyrimin për të marrë pjesë në zgjedhje, pavarësisht se kjo mund të jetë një nga objektivat e tyre kryesore. Bojkotimi mund të jetë një mjet i  veprimtarisë politike”.

Komisioni i Venecias

Gjuha e ekspertëve ndërkombëtarë është zbutur sa i takon Presidentit të Republikës, duke e konsideruar dekretin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve nga antikushtetues në tejkalim të kompetencave.

“Sidoqoftë, një shtyrje e tillë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019 nuk kishte një bazë ligjore pasi nuk kishte një fuqi të tillë për Presidentin. Prandaj, Komisioni i Venecias konstatoi se Presidenti i Republikës së Shqipërisë kishte tejkaluar kompetencat e tij  sipas Kushtetutës duke shtyrë zgjedhjet vendore të vitit 2019”.

Komisioni i Venecias

Mesa duket, juristët ndërkombëtarë mund të kenë nuhatur mundësinë e shqyrtimit të një tjetër kërkese nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila tashmë ka kaluar për shqyrtim vendimin e parlamenti për shkarkimin e presidentit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/10/14/vlefshmeria-e-vendoreve-te-vitit-2019-komisioni-i-venecias-i-kthen-pergjigje-kete-jave-kushtetueses/

A2 CNN Livestream

Latest Videos