
A2 CNN ka mundur të sigurojë dokumentin përmes të cilit Partia Demokratike propozon ndryshimin e Kushtetutës për të realizuar reformën territoriale, atë zgjedhore, si edhe vetingun për politikanët.
PD kërkon që të “përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.
Por si do të realizohet vetingu i politikanëve, sipas propozimit të PD?
Në dokumentin që do të dërgohet të mërkurën në Parlament, PD propozon që kontrolli i integritetit është i përkohshëm dhe i përhershëm.
“Kontrolli i përkohshëm kryhet për funksionarët publikë që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe duhet të përfundojë brenda 3 viteve. Kontrolli i përhershëm kryhet brenda një viti nga fillimi i ushtrimit të funksionit”, thuhet në propozimin e PD.
Subjektet e kontrollit të integritetit janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.
Ajo që bie në sy është fakti se në amendamentet kushtetuese PD thotë se duhet të jenë funksionarët publikë, të dyshuar si të papërshtatshëm, që duhet të provojnë pafajësinë e tyre.
“Nëse funksionari publik ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet në propozimin e PD.
Gjithashtu, hetimi për pasuri të pajustifikuar, sipas PD, duhet të fillojë në rast se funksionari publik ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme. “Ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”.
I gjithë ky proces, sipas PD, duhet të realizohet përmes përfshirjes së SPAK, Gjykatës së Posaçme dhe fjalën e fundit ta thotë Gjykata Kushtetuese.
“Pranë SPAK ngrihet Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në radhët e funksionarëve të lartë shtetërore, që përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK, të zgjedhur me short çdo 3 vjet.
Procesi individual për një funksionar publik për kontrollin e integritetit nuk mund të zgjasë më shumë se 1 vit nga momenti që Kolegji i Vlerësimit fillon shqyrtimin e thelluar të çështjes.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mund të vendos lënien në fuqi të vendimit të SPAK për konfirmimin në funksion, ose prishjen e vendimit të SPAK dhe moskonfirmimin në funksion të funksionarit publik. Vendimi i kësaj gjykate për konfirmimin në funksion është përfundimtar.
Vendimi i SPAK për moskonfirmimin në detyrë, apo vendimi i Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për prishjen e vendimit të SPAK për konfirmimin në detyrë dhe moskonfirmimin në funksion të funksionarit publik, mund të ankimohet nga funksionari publik brenda 30 ditëve nga vendimi pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar shqyrtohet nga një trupë gjyqësore e përbërë nga tre gjyqtarë, të caktuar rast pas rasti me short. Nëse vendimi i moskonfirmimit lihet në fuqi, çështja i dërgohet për shqyrtim përfundimtar Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese vendos përfundimisht që mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose kanë pasuri të pajustifikuar ligjërisht”
Skema e propozuar nga PD për vetingun e politikanëve
Për të garantuar transparencën e procesit si dhe interesin e publikut gjatë procesit të kontrollit të integritetit, PD propozon që pranë Kuvendit të Shqipërisë të ngrihet Komisioni i Posaçëm Parlamentar i garantimit të integritetit të funksionarëve të lartë shtetërorë, i përbërë nga 6 deputetë, 3 nga shumica parlamentare dhe 3 nga pakica parlamentare. (A2 Televizion)