Nën frikën e një shpërthimi të mundshëm, banorët e 4 komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, i drejtohen sot kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme lokale.
Të parashikuara të mbaheshin më 18 dhjetor, pas tërheqjes së përfaqësuesve serbë nga institucionet, këto zgjedhje, falë ndërhyrjes dhe të komunitetit ndërkombëtar, u shtynë për në 23 prill.
Ndonëse shtyrja kishte si një qëllim për çtensionimin e situatës, duket se në terren nuk ka ndryshuar asgjë. Të gjitha subjektet serbe i kanë bojkotuar këto zgjedhje, përveç kandidates së pavarur Sllagjana Pantiq, e cila garon në komunën e Zveçanit.






Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë hapur gjithsej 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 në kontejnerë. Janë 45 mijë e 118 votues që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këto qendra.
Liderët e Kosovë, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti bën thirrje mbrëmjen e kaluar që qytetarët të dalin në këto zgjedhje për t’u ndarë nga e shkuara dhe për të zgjedhur për të ardhmen e tyre.
Teksa nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kërkuan që zgjedhjet të bojkotohen masivisht, për t’i treguar komunitetit ndërkombëtar se kujt i përkasin këto zona.
Presidenti Vuçiç bëri dhe një deklaratë paksa të ashpër pak para zgjedhjeve, duke thënë se pas 23 prillit kjo zonë “do të pushtohet”, por pa e specifikuar nëse e kishte në mënyrë figurative apo të drejtpërdrejtë.
Më herët, BE dhe SHBA kanë paralajmëruar se do t’i njohin këto zgjedhje nëse janë të lira dhe të ndershme. (A2 Televizion)