
Lëvizja Vetëvendosje është shpallur zyrtarisht fituese e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin final të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje u shpall fituese me 49.95% të votave, duke siguruar kështu 58 deputetë në parlamentin e ri me 120 vende.
Kryetari Albin Kurti nuk është pjesë e listës, ndërsa Vjosa Osmani është kandidatja më e votuar me mbi 300 mijë vota. Me këtë rezultat, Vetëvendosjes i duhet të bëjë koalicion për të arritur shumicën e nevojshme.
Forcë e dytë doli Partia Demokratike e Kosovës që siguroi 16.9% të votave, apo thënë ndryshe 19 deputetë. Renditja vijon me Lidhjen Demokratike të Kosovës që fitoi vetëm 15 mandate, Lista Serbe, 10 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 8 deputetë.
Nisma e Fatmir Limaj mbeti jashtë parlamentit, ndërsa forcat politike të komuniteteve të tjera morën 10 deputetë në total. (A2 Televizion)