
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, kërkoi vëmendjen e publikut sa i përket kërkesës së vëzhguesve ndërkombëtarë të ONM për të apeluar në shkallën e dytë të vettingut, drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.
Në rrjetet sociale, diplomatja amerikane shprehet se kërkesat e tyre për rishqyrtim në shkallën e dytë të vetingut janë të bazuara në ligj, ndërsa shton se është koha që media të tregojë guxim dhe integritet, duke thyer modelet e vjetra që dëmtojnë Shqipërinë.
“Në përputhje me rolin kushtetues në procesin e vetingut, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit rekomandoi Komisionerin Publik që të apelonte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në një çështje të rëndësishme. Të gjithë duhet të ndjekim nga afër se çfarë do ndodhë më pas. Përgjigjja do të jetë shfaqje guximi & integriteti në dhënien e drejtësisë apo, siç kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, shmangie e përpjekjeve duke sulmuar procesin e vetingut & përfolur vëzhguesit ndërkombëtarë?”, shkroi ambasadorja në Twitter.
“A do t'i shërbejnë mediat publikut dhe do ta raportojnë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do të pranojnë të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër? Është koha për të treguar guxim dhe integritet. Koha për të thyer modelet e vjetra që dëmtojnë Shqipërinë. Koha që Shqipëria të ecë përpara, hap pas hapi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ju”. (A2 Televizion)