
Pastrimi i mjedisit është një nga objektivat kryesore të shpallur nga kryeministri Rama gjatë këtij mandati dhe për këtë arsye një takim u zhvillua me kryetarët e bashkive për të bashkërenduar punën në menaxhimin sa më të mirë të kësaj situatë.
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, bëri një bilanc të situatës aktuale me mbetjet në territor, duke e krahasuar atë dhe më 8 vite më parë, kur kjo mazhorancë mori detyrë.
Sipas Kumbaros, ka ende një punë të madhe për pastrimin e territorit, por situata ka ndryshuar ndjeshëm kjo dhe falë impianteve të ndërtuara për menaxhimin e tyre.
“Ku jemi sot me mbetjet dhe pastrimin e territorit. Mbetjet nuk na bien nga qielli, jemi ne që i gjenerojmë dhe është detyra jonë t’i administrojmë. Por duhet të pastrojmë territorin, duke i trajtuar, seleksionuar. Jemi të ndërgjegjshëm për punën e madhe që është bërë. Harrojmë si e morëm situatën e mbetjeve në territor. Sipas të dhënave të INSTAT në 2013, vetëm 50% e mbetjeve hidheshin në kosh. Nga këto, vetëm 16% depozitoheshin në vendgrumbullim. 8 vjet më pas 69% e mbetjeve depozitohen në një landfill apo incenerator. Sot, kemi 6 impiante trajtimi që mbulojnë 74% të popullsisë nga 16% që ishte në 2013. Trashëguam një situatë kaotike. Kemi mbetje që i trashëgojmë nga para viteve 1990. Reforma territoriale na tregoi për masakrën që ishte bërë me mbetjet. Tabloja e çibanëve që lanë ish-komunat ishte pasqyra më tragjike”, tha Kumbaro. (A2 Televizion)