
Gjyqtari i Apelit Tiranë, Ridvan Hado, i njëjti që shqyrtoi dosjen “Gërdeci” në Shkallën e Parë në vitin 2009, doli të enjten para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
KPK nuk konstatoi parregullsi në pasurinë, figurën dhe profesionalizmin e gjyqtarit. Vëzhguesi ndërkombëtar vërejti si problematike dy vendimmarrje të KLD, kur gjyqtari Hado ishte pjesë e saj.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme shtyu për në 3 korrik seancën paraprake ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ku përcaktohet nëse dosja shkon në gjyq, kthehet për hetime, apo pushohet. Seanca u shty me kërkesë të avokatit Sokol Hazizaj për t’u njohur me dosjen, ku ish-prokurori akuzohet për “fshehje të pasurisë”.
Hekuran Brahimaj, kryetari i komanduar i Bashkisë Vorë, dëshmoi në Gjykatën e Tiranës në gjyqin kundër ish-kryebashkiakut, Agim Kajmaku. Ai tha se nuk kishte pasur asnjë konflikt, por ishte shkarkuar nga Kajmaku, me një urdhër të firmosur një ditë kur kryebashkiaku nuk ishte në bashki. Kajmaku gjykohet në mungesë për “falsifikim të formularëve”, “shpërdorim detyre” dhe “ushtrim funksioni pas dhënies fund të tij”. (A2 Televizion)