
Policia e Elbasanit vuri në pranga një 27-vjeçar, i cili dyshohet si autor i një vjedhje në spitalin e Elbasanit. Mësohet se në pranga është vënë shtetasi me iniciale M. V..
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja", menjëherë pas marrjes së njoftimit për një vjedhje në ambientet e spitalit "Xhaferr Kongoli", kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar "The end", me qëllim kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit të këtij rasti. Si rezultat, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. V., 27 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale "Vjedhja"”, njofton policia.
Bëhet e ditur se 27-vjeçari dyshohet të jetë autor edhe i 5 vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Elbasanit.
“Nga veprimet hetimore, rezultoi se ky shtetas është autor edhe i një sërë vjedhjesh të tjera, konkretisht:
-Më datë 23.03.2022, në rrugën "Rinia", i ka vjedhur çantën e dorës, një shtetaseje;
-Më datë 21.05.2022, ka vjedhur 2000 euro, në banesën e një shtetasi;
-Më datë 08.08.2022, në lagjen "Luigj Gurakuqi", gjatë natës, ka vjedhur me thyerje, në banesën e një shtetaseje, ku ka marrë sende me vlerë 100 000 lekë të rinj;
-Më datë 14.09.2022, në lagjen “Vullnetari”, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë në brendësi të tij, 10 000 lekë të rinj”, njofton policia. (A2 Televizion)