
Policia e kryeqytetit ka zbardhur 14 raste të vjedhjes së banesave, me anë të çelësave të klonuar. Në pranga ka rënë një 45-vjeçar nga Tirana, i dënuar më parë për veprën penale "Vrasje me paramendim", si edhe është shpallur në kërkim një 48-vjeçar, i cili ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale, në Gjermani.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur shuma parash dhe sende me vlerë, në 14 banesa në zona të ndryshme të Tiranës.
Në operacionin e koduar “Smart keys”, të Komisariatit të Policisë Nr. 2 janë sekuestruar çelësa të ndryshëm, pajisje alumini që shërbejnë për veshjen e çelësave, dy aparate celulare, një bajonetë, një përforcues grushti, veshje si dhe dy automjete që autorët dyshohet se e përdornin gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Ato u gjetën në një subjekt në pronësi të bashkëshortes së të arrestuarit me iniciale A. G., të cilin dy autorët e dyshuar e përdornin për të fshehur sendet e vjedhura dhe mjetet që përdornin gjatë vjedhjeve. (A2 Televizion)