Nuk shteron numri i shtetasve shqiptarë që kthehen nga Greqia. Sot edhe 25 të tjerë kanë mbërritur në një hotel në qytetin e Korçës, ku do të kalojnë periudhën e karantinës me detyrim.

Periudhë kjo që do të zgjasë 14 ditë, por që ka edhe kostot financiare për vetë emigrantët. Jo pak prej tyre sot kanë denoncuar këtë fakt, duke thënë se janë të indinjuar nga ky vendim, që i godet edhe më shumë xhepat e tyre.
Sipas burimeve, personat paguajnë rreth 1200 lekë në ditë për fjetjen, por kostove i shtohet edhe ai i ngrënies.
Ndërkohë, një tjetër hotel për emigrantët e rikthyer nga koronavirusi është hapur në Pogradec, që po pret 11 persona. Deri më tani, 203 emigrantë po kryejnë karantinën në këto dy qytete.
Sipas dëshmive të tyre, gjithsesi, në Kapshticë ndodhen edhe shume shtetas të tjerë në pritje, dhe që besojnë se fluksi i emigrantëve do të shtohet gjatë ditëve në vijim. (A2 Televizion)