
Me anë të një postimi në Facebook, presidenti Meta, duke iu referuar konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa kufij”, shpreh shqetësimin e tij për lirinë e medias në vendin tonë.
“Thellësisht i shqetësuar nga regresi i Shqipërisë vit pas viti në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias. Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë”.
Presidenti shkruan më tej se paketa “antishpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën. “Mbështes plotësisht paralajmërimin e “Reporterëve pa kufij” se e ashtuquajtura paketë “antishpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri.
I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që siç tërheq vëmendjen Organizata Botërore e Gazetarëve, dhe ashtu siç kam paralajmëruar:
- Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik;
- Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit;
- Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
- Shkel standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike”. (A2 Televizion)