Shkodra në pandemi, nuk mjaftojnë vetëm masat, duhet ndërgjegjësim

Nga A2 CNN
21 Prill 2020, 12:49 | Aktualitet
Shkodra në pandemi, nuk mjaftojnë vetëm masat, duhet

Nisi pikërisht me respektimin e traditave përhapja e virusit pandemik në Shkodër. Numri i personave të prekur në kryeqendrën e veriut, nga 2 fillimisht, shkoi në rreth 100, duke e kthyer këtë qytet në të parin në listën e qyteteve të prekur për numër banorësh.

“Për numër popullsie është qarku i parë në shkallë republike dhe kjo është ajo që na shqetëson të gjithëve”, thotë koordinatori i qarkut Shkodër, Besfort Lamallari. “Duhet të na imponojë të gjithëve pa përjashtim, përtej dasive, përkatësive, ngjyrimeve... për të bërë maksimumin brenda përgjegjësive të gjithsecilit për të ndihmuar në trajtimin dhe parandalimin e situatës”.

“Situata është e vështirë, sepse sidomos ditët e fundit jemi në kushtet e një rritjeje të konsiderueshme të numrit pozitiv në spitalin rajonal të Shkodrës dhe strukturat e policisë”, tregon për A2 kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi.

Por, në djepin e kulturës nuk ishin vetëm masat ato që mund të qetësonin situatën, por edhe ndërgjegjësimi qytetar. “I bëj apel të kenë durim, sikurse shumica e qytetarëve e ka pasur deri më tani. Është shumë e rëndësishme të ruhet distancimi shoqëror, të kemi kujdes nga përhapja në qytet. Shkodra ka ditur jo vetëm t’i zbatojë rregullat, ka ditur edhe t’i kundërshtojë. Por sot nuk është momenti t’i kundërshtosh rregullat. Sot është momenti të tregohemi të durueshëm dhe të kemi kujdes për veten, prindërit dhe ju studentë të dashur, për gjyshërit tuaj”, thotë për A2, Adem Bekteshi, rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos