
Epidemiologu Artan Simaku theksoi në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 se më e keqja ka kaluar dhe situata në lidhje me koronavirusin është optimiste.
“Kriteri i vlerësimit janë rastet që shtrohen në spital dhe ato kanë ardhur në rënie, ndërkohë që trendi i shërimit është shumë i lartë. Virusi sigurisht që qarkullon dhe 80% e njerëzve e kalojnë pa simptoma. Raste do të ketë sërish dhe këshillohet që pavarësisht lehtësimit gradual të masave, të mos lehtësohen masat e distancimit social dhe higjienës. Pavarësisht situatës optimiste, kujdesi duhet të jetë maksimal”, deklaroi Simaku.
Sipas tij, “masat e marra deri tani kanë pasur impakt absolut, pasi janë marrë në kohën e duhur”.
“Do të prodhonin efekte negative nëse do të merreshin më herët apo më vonë”, nënvizoi epidemiologu.
Kur u pyet për një valë të dytë të Covid-19, Simaku u shpreh: “Duhet marrë në konsideratë si mundësi, prandaj theksojmë se masat e distancimit fizik nuk duhen neglizhuar nga popullata. Sa më të kujdesshëm të jenë qytetarët, aq më e madhe do të jetë mundësia e kthimit në normalitet. Mosha e tretë nuk duhet ta thyejë karantinën në asnjë mënyrë”. (A2 Televizion)