Vijojnë telashet nga djali për presidentin e zgjedhur Joe Biden

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2020, 22:42 | Bota
Vijojnë telashet nga djali për presidentin e zgjedhur Joe Biden

Hunter Biden, djali i presidentit të zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, është nën hetim për çështje fiskale. Siç mësohet, hetimi po zhvillohet nga prokurorët federalë në Delauar. Lajmin  e bëri të ditur vetë 50-vjeçari, teksa u shpreh i bindur se do të provojë pafajësinë e tij.

Hunter Biden tha se ishte informuar për hetimin gjatë së martës, por nuk zbuloi detaje të tjera. Megjithatë, mediat amerikane citojnë burime të thonë se hetimi kishte të bënte me ujditë e biznesit me vende të huaja, përfshirë Kinën. “Po e marr shumë seriozisht këtë çështje por kam besim se një hetim profesional dhe objektiv do të tregojë se unë i kam menaxhuar punët e mia në mënyrë të ligjshme duke përfshirë edhe këshilltarë profesionistë fiskalë”, tha djali i presidentit të zgjedhur.

Sipas raportimeve, hetimi ka nisur në vitin 2028, para se Joe Biden të njoftonte kandidaturën për presidencën. Hunter ka qenë një shënjestër e vazhdueshme e kritikave të republikanëve gjatë fushatës elektorale, të fokusuara te lidhjet e tij të biznesit në Ukrainë dhe Kinë, ku Joe Biden ishte zëvendëspresident në administratën Obama.

Dhjetorin e kaluar, presidenti Trump iu nënshtrua procesit të “impeachment”, pas akuzave se kishte abuzuar me pushtetin duke i bërë presion Ukrainës të hetonte Biden. Presidenti i zgjedhur pohoi në një reagim se ishte thellësisht krenar për djalin e tij, i cili, siç tha, ishte përballur me sfida të vështira, përfshirë sulmet e dhunshme të muajve të fundit, vetëm për të dalë më i fortë prej tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos