
Kreu i Shëndetit Publik në Stokholm iu bëri thirrje autoriteteve kombëtare të dërgojnë staf të specializuar mjekësor për t’i bërë ballë valës së dytë të pandemisë që ka mbushur terapitë intensive në kryeqytetin suedez.
Suedia e cila nuk ndoqi të njëjtat masa izolimi si shumë vende të tjera të Europës ka shënuar më shumë viktima për banorë sesa fqinjët e saj nordike me rreth 7300 humbje jete.
Stokholmi dhe rajonet e tij përreth janë më të goditurat nga pandemia me 2836 viktima. Shifrat e infektimeve të reja kanë nisur të ngrihen sërish pas një situate të qetë në verë dhe vjeshtë.
“Kemi nevojë për ndihmë”, tha Bjorn Eriksson, kreu i Shëndetit Publik për rajonin e Stokholmit, në një konferencë për shtyp.
Momentalisht në terapitë intensive në spitalet e kryeqytetit ndodhen të shtruar 814 persona nga 748 që ishin një ditë më parë. (A2 Televizion)