
Për gazetarët, viti 2018 ka qenë tragjik. Bilanci i përvitshëm i organizatës Reporterët pa Kufij zbulon se në të gjithë botën janë vrarë 80 reporterë.
Mes viktimave të 2018-s, janë 63 gazetarë profesionistë, 13 jo profesionistë, dhe 4 bashkëpunëtorë të mediave, shpjegoi Organizata Jo Qeveritare me seli në Paris.
Në këtë bilanc tragjik bën pjesë edhe Jamal Khashoggi, i vrarë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.
Vitin e kaluar humbën jetën 65 gazetarë. Ndërsa në total, sipas Reporterëve Pa Kufij, mbi 700 janë vrarë brenda 10 viteve të fundit.
Përsëri Afganistani mbetet ferri i reporterëve, ku këtë vit u vranë 15 të tillë. Në 2018 u rrit dhe numri i gazetarëve të burgosur. (A2 Televizion)