
Nga e hëna do të nisë viti i ri shkollorë, në një situatë aspak të zakontë, mes pandemisë.
Raportimi i situatës aktuale të koronavirusit, për 24 orët e fundit, nga Ministria e Shëndetësisë, nisi ndryshe këtë të diel, me një thirrje të fundit për kujdes në zbatimin e masave anti-Covid ndaj mësuesve, prindërve dhe nxënësve.
“Me rinisjen e vitit te ri shkollor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i drejtohet me një thirrje mësuesve, prindërve, nxënësve, të tregojnë kujdes me zbatimin me përpikëri të masave që frenojnë përhapjen e covid-19.
Ministria e Shëndetësisë apelon për respektimin e distancimit social, vendosjen e maskave ose barrierave mbrojtëse, larjen ose dezinfektimin e duarve, ajrosjen e ambienteve, matjen e temperaturës së nxënësve çdo ditë. Të gjitha institucionet arsimore, që fillojnë ditën e nesërme mësimin, duhet të zbatojnë me rigorozitet udhëzimin mbi masat anti-COVID19 me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit SARS-COV-2.
Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar”. (A2 Televizion)