
Në një kohë që policia e ka përqendruar vëmendjen e saj tek sekuestrimi i pajisjeve muzikore apo mosrespektimit të orareve të lejuara përgjatë sezonit turistik, vjedhjet nga ana tjetër po bëjnë kërdinë në Tiranë.
Mesatarisht, burime nga policia pohojnë se në metropolin shqiptar ndodhin më shumë se 4 vjedhje në ditë, ndërsa vetëm pak kohë më parë një i ri 31-vjeçar që u arrestua ishte autor i 7 vjedhjeve të ndryshme që nga biçikletat e deri të banesat.
Kjo është një ngjarje e vetëm dy ditëve më parë në zonën e Astirit, ku dy të rinj duken që largohen pas një tentative vjedhje të mundshme në një biznes ndërsa pas pak minutash duket që mbërrijnë efektivët e policisë. Alarmi ka qenë shkak që hajdutët të largohen me vrap.
Në po të njëjtën zonë Vetëm dy javë më parë një i ri që lëvizte me biçikletë vodhi rreth 40 mije euro në një këmbim valutor fare pranë së njëjtit biznes që u tentua të vidhej.
Por rastet e vjedhjes apo dhe tentativave për vjedhje janë shtuar dukshëm përgjatë sezonit veror kjo edhe për shkak të vëmendjes së shtuar të policisë ndaj bregdetit. (A2 Televizion)