Vjosa pranë pikës kritike. Në Shkodër zgjerohet harta e përmbytjeve

Nga A2 CNN
19 Janar 2023, 17:15 | Aktualitet
Vjosa pranë pikës kritike. Në Shkodër zgjerohet harta e

Problematikat e shkaktuara nga kushtet e rënduara meteorologjike që kanë prekur vendin prej dy ditësh, sa vijnë dhe bëhen më serioze.

Në Shkodër konstatohet një zgjerim i hartës së përmbytjeve, veçanërisht në zonën e Obotit. Ndërsa niveli i ujit, veçanërisht në lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës, po rritet nga ora në orë. Në zonën e përmbytur ka dalë në inspektim edhe prefektja e Shkodrës, e cila deklaroi se janë marrë të gjitha masat, ndërsa pritet që mjete dhe efektivet e ushtrisë të ndihmojnë lëvizjen e popullatës në zonat e përmbytura.

Ndërkohë, në anën tjetër të vendit, lumi Vjosa po i afrohet pikës kritike, me prurjet që sa vijnë edhe rriten. Autoritet lokale janë duke monitoruar orë pas ore nivelin e ujit, ndërsa janë marrë masat që dalja nga shtrati të mos i gjejë banorët e zonës të papërgatitur.

Sakaq, era e fortë në zonat bregdetare ka vijuar të shkaktojë probleme kryesisht me lundrimet në Durrës dhe Vlorë. Tragetet e linjave me Italinë janë nisur me disa orë vonesë për shkak të kushteve atmosferike. Ndërsa mjetet e vogla dhe ato të mesme lundruese janë ndaluar të dalin në det.

Era e fortë ka shkaktuar probleme dhe në juglindje të vendit. Pranë pazarit të Korçës, era ka shkulur mbulesën e një godine, ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, ndërsa janë dëmtuar 5 automjete që ishin të parkuara. Gjithashtu, në Korçë era ka shkulur edhe pemë dekorative të qytetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos