
Kategoria Superiore ka hyrë në sprintin final dhe duelet e javës së 30 mund të jenë vendimtare për disa skuadra. Vllaznia dhe Partizani do të matin forcat këtë të shtunë në “Loro Boriçi”, në një ndeshje ku fitorja është detyrim, pasi humbësi mund të vendosë në pikëpyetje biletën për në Europë.
Auron Miloti, zv/trajner i Vllaznisë, u shpreh: “Duam vendin e katërt sepse na çon direkt në Europë. Janë shtatë finale siç thashë. Janë shtatë finale dhe Vllaznia është e gatshme. Partizani është një nga ato. Duhet të japim maksimumin dhe të dalim me sukses. Nesër jemi të përgatitur për ndeshjen e parë, ekipi është i motivuar”.
Ndërsa Dritan Mehmeti, trajner i Partizanit, theksoi: “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Vllaznia ka një bonus emocional sepse është ekipi që na eliminoi në Kupën e Shqipërisë, pas goditjeve të penalltive. Ne do të bëjmë maksimumin dhe do të japim gjithçka për gjithçka”.
Në duelin tjetër, Kukësi rikthehet pas 4 vitesh në stadiumin e qytetit të tij. Verilindorët përballen me Laçin, në një ndeshje që nuk duket aspak e lehtë. E veçanta e kësaj sfide është se për herë të parë, tifozët e Kukësit do të kenë mundësi të ndjekin një ndeshje me drita në vendin e tyre. (A2 Televizion)