Vllaznia “vë bast” mbi ish-talentin e Kombëtares

Nga A2 CNN
1 Korrik 2021, 18:03 | Futboll

Flitej prej disa ditësh për interesimin e Vllaznisë ndaj tij, por tashmë është zyrtare. Ekipi shkodran gjen një përforcim potencialisht të rëndësishëm me firmën e mesfushorit me tipare sulmuese Liridon Latifi.

Prishtinaliu që ka përfaqësuar Kombëtaren kuqezi në 5 ndeshje, në periudhën 2015-17, ku luante me Skënderbeun, cilësohej si një nga talentet më premtuese të Superiores, i denjë për të konkurruar në kampionate më kompetitive.

Por eksperienca  e tij jashtë vendit nuk solli arritjet e pritura. Mungesa e përshtatjes dhe disa dëmtime fizike e kufizuan në eksperiencën hungareze me Akademinë Puscas, ku nga viti 2017 ka arritur të luajë në 29 raste duke shënuar vetëm një gol, ndërkohë që edhe eksperienca moldave me Sherif Tiraspol nuk përfundoi më së miri.

Ndoshta trajneri i Vllaznisë Brdaric do t’i risjellë entuziazmin e duhur talentit që jo shumë vite më parë mahniti në grupet e Europa League dhe me përballjet me ekipe gjigante si Spanja, dhe që ka nënshkruar me shkodranët një kontratë dyvjeçare. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos