
Institucioni financiar “Iute Credit Albania Sh.A” ka kallëzuar penalisht në prokurorinë e Fierit një ish-punonjësen e tij në degën e këtij qyteti, duke e akuzuar për mashtrim me kreditë.
Ish-punonjësja e “Iute Credit Albania Sh.A” në Fier, Paula Buzi, dyshohet se ka falsifikuar firmat e disa personave në praktikat e marrjes së kredive, të cilët nuk kishin aplikuar për diçka të tillë, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 9.3 milionë lekësh.
Në kuadër të këtij hetimi janë regjistruar dhe kallëzimet e disa personave të cilët deklarojnë se në emër të tyre janë përfituar kredi pranë shoqërisë “Iute Credit Albania Sh.A”, për të cilat ata nuk kanë aplikuar dhe nuk i kanë përfituar personalisht.
Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, kanë kryer mbi 35 akte ekspertimi grafikë shkrimi dhe nënshkrimi, lidhur me verifikimin e të gjitha rasteve të kallëzuara. Në përfundim, ka rezultuar se praktikat e marrjes së kredive nuk janë nënshkruar nga personat, në emër të të cilëve rezultojnë të nënshkruara, por janë falsifikuar nga punonjësja e shoqërisë “Iute Credit sh.a”, personi nën hetim Paula Buzi.
Në këto kushte, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka miratuar kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” ndaj Paula Buzit, e dyshuar për “Mashtrim me kreditë”. (A2 Televizion)