
Në prag të mbylljes së semestrit tremujor të shkollës, përfaqësuesja demokrate Albana Vokshi ka akuzuar qeverinë se situata në shkolla ka dalë kontrollit. E ftuar në studion e A2 CNN, Vokshi ka theksuar se shkolla është kthyer në vatër të Covid dhe për këtë fajëson qeverinë. Sipas saj mësimi i alternuar nuk e ka zgjidhur problemin e transmetimit të Covid-19.
“Sistemi i mësimit online nuk është funksional, ka dështuar totalisht. Kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve nuk ka tolerancë. Nëse shkolla është vatër e Covid faji është i qeverisë. Nxënësit kanë shkuar në shkolla që janë shndërruar në vatra të rrezikshme të Covid -19. E kemi ngritur në mënyrë të përjavshme këtë shqetësim se situata është jashtë kontrollit në shkolla dhe mësimi i alternuar nuk e ka zgjidhur problemin e transmetimit të Covid. Ka sjellë kaos dhe çorientim total të mësuesit”.
Vokshi akuzon qeverinë edhe se nuk ka certifikuar asnjë shkollë dhe nuk ka asnjë fond për testimin e mësuesve, ndërsa sjell shembullin e Kosovës për certifikimin e shkollave.
“Nuk paska qeveria 1.6 mln euro nga buxheti i shtetit për të testuar mësuesit. Vetëm në Tiranë kemi 1350 raste. Në Kosovë qeveria ka marrë masa për testimin e mësuesve. Çdo shkollë është e certifikuar nga organet përkatëse të qeverisë së Kosovës, në Shqipëri nuk është bërë asnjë certifikim, ato thjesht u hapën. Asnjë fond për testimin e mësuesve”.
Ajo solli në vëmendje edhe propozimin e PD-së për marrjen e masave që në çdo shkollë të kishte kushte minimale për respektimin e protokollit të sigurisë, por sipas saj qeveria nuk mori asnjë masë për mësim cilësor dhe efikas. (A2 Televizion)