Vokshi: Një vjedhje e re me kontratat sekrete, vazhdon heshtja e Ramës

Nga A2 CNN
24 Prill 2020, 12:51 | Politikë
Vokshi: Një vjedhje e re me kontratat sekrete, vazhdon heshtja e Ramës

Me anë të ish-deputetes Albana Vokshi, Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për vjedhje me kontrata sekrete dhe këtë herë sjell rastin e blerjes së respiratorëve të oksigjenit, të cilët sipas PD-së, janë blerë me dyfishin e çmimit të tregut.

Vokshi u shpreh se kompania fituese shkeli kontratën, solli 5 respiratorë në vend të 54, por qeveria nuk mori asnjë masë.

“Gati një muaj pas shpërthimit të epidemisë, qeveria porositi më 3 prill, 54 copë respiratorë, një fakt që tregon sesa e papërgatitur ishte për situatën. Kushti kryesor i tenderit ishte koha e shpejtë e sjelljes së respiratorëve. Kompania fituese duhet të sillte 20 respiratorë brenda 7 ditëve dhe të tjerat më vonë. Por kjo nuk ndodhi. Kontrata u shkel në mënyrë flagrante. Dokumentet që ne kemi siguruar tregojnë se kompania TBS 96 ka sjellë vetëm 5 respiratorë nga 54. Megjithatë qeveria nuk e ka prishur kontratën me të, siç e detyron ligji në raste të tilla.

Një respirator është zhdoganuar me 7.7 milionë lekë dhe është blerë nga qeveria me 14 milionë lekë, pra me çmim gati 2 herë më të lartë. Janë këto çmime stratosferike dhe abuzive arsyeja pse Edi Rama i mban këta tendera sekret, duke paguar qindra milionë lekë më shumë klientët e tij në kohën më të vështirë për qytetarët. Vetëm kompanisë TBS 96, që ka shkelur kontratën për respiratorët, qeveria e Edi Ramës i ka paguar nga paratë e shqiptarëve 11 milionë euro në 6 vjet”, tha Vokshi. Më tej, Vokshi tha se Prokuroria të dalë nga karantina dhe të hetojë vjedhjen e shqiptarëve me kontratat sekrete. “Prokuroria duhet të dalë nga karantina, ku e mban qeveria. SPAK ka mjaftueshëm fakte të çojë para drejtësisë hajdutët e qeverisë që bëjnë që të pasurohen si të babëzitur, kur shëndeti dhe puna e qytetarëve janë në rrezik”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos