
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, udhëhoqi diplomatët e lartë të Unionit në takimin me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev.
“Faleminderit që erdhët”, tha Zelensky, teksa shtrëngoi duart me delegacionin, ku përfshihej edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
Teksa hynë në ndërtesë, Von der Leyen vendosi dorën në zemrën e saj, ndërsa i tregonte presidentit ukrainas për udhëtimin e saj në Bucha dhe tmerrin që dëshmoi atje. Gjatë vizitës së saj në Bucha, Von der Leyen tha se BE-ja do të bënte gjithçka për të mbështetur Ukrainën për të bërë “hapat e nevojshëm” për të siguruar anëtarësimin në bllok, gjë të cilën Zelensky e ka kërkuar me ngulm.
Shefja e Komisionit Europian tha se vrasjet e civilëve treguan fytyrën e vërtetë të ushtrisë së presidentit rus, Vladimir Putin. Gjithashtu u zotua të ndihmonte Ukrainën në mbrojtjen e kufirit të Europës. (A2 Televizion)