
Nënkryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj, në “Intervistë” me Merita Haklaj, foli për reformën zgjedhore, ku renditi edhe pikat që janë më të debatuara.
“Komisioni i reformës zgjedhore më 3 tetor do të ketë mbledhjen e tretë të tij. Do të përcaktojmë kalendarin e punës dhe duket se do të jetë një investim jo i vogël në kohë dhe në energji. Çështjet më të debatuara janë ato të votimit të shqiptarëve jashtë vendit dhe votimi elektronik”, tha Felaj.
Më tej, nënkryetarja e Parlamentit u pyet edhe për votimin elektronik dhe rrezikun që vjen nga sulmet e mundshme kibernetike. “Sulmi kibernetik nuk ishte një rast episodik. Një fuqi e madhe si Irani na sulmoi dhe kemi pasur ndihmën e të gjithë faktorit ndërkombëtar për rikthimin e sistemeve tona. Vëmendja në këtë pikë do të duhet të shtohet që të mos ndodhim më sulme të ngjashme. Pavarësisht, ekspertët e kësaj fushe thonë se sulmet janë shumë të shpeshta. Mbrojtja do të jetë sa më e përshtatshme. Ka ardhur në momentin e duhur sjellja e ligjit të ri për informacionin e klasifikuar, i cili autoritetin e vë në dritë, i bën të gjithë të kuptojnë, që politikat e lidhura me sigurinë e informacionit të klasifikuar do të duhen të prodhohen nga DSIK dhe të ndiqen. Vendosja e Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar në rangun e autoritetit që prodhon politika të të gjitha institucionet që kanë informacion të klasifikuar do të unifikojë mbrojtjen sipas një standardi të pranuar nga NATO”, u shpreh Felaj. (A2 Televizion)